Secondary Adv

BERZH: Shqipëria ka humbur 40 për qind të popullsisë nga emigracioni, pasoja në ekonomi

Shqipëria dhe Kosova janë dy vendet me emigracionin më të lartë në hapësirën post-komuniste që nga viti 1990, sipas raportit të ri të BERZH “Tranzicioni 2025–26: Një botë e vjetër, por më e guximshme”.

Në periudhën 1990–2023, Shqipëria ka humbur rreth 40% të popullsisë së saj të vitit 1990 vetëm përmes emigracionit neto — niveli i dytë më i lartë në Europë dhe në të gjithë ekonomitë e BERZH.

 

Shtesa natyrore e popullsisë ka qenë pozitive për pjesën më të madhe të periudhës dhe ka kompensuar rreth 27% të popullsisë së vitit 1990, por efekti nuk ka qenë i mjaftueshëm për të balancuar largimet masive. Edhe Kosova ka përjetuar një dinamikë të ngjashme, madje më ekstreme: ka humbur rreth 50% të popullsisë së vitit 1990 nga emigrimi, megjithëse me një shtesë natyrore më të lartë prej gati 40%.

 

Pasojat ekonomike: Rritja e PBB-së po dëmtohet çdo vit

BERZH thekson se ky boshllëk demografik po shndërrohet në një frenim të fortë ekonomik. Për herë të parë, raporti mat ndikimin vjetor të demografisë në rritjen e PBB-së për frymë.

 

- Gjatë periudhës 2000–2023, demografia i ka hequr ekonomisë shqiptare rreth –0.2 pikë përqindje rritjeje në vit.

- Për periudhën 2024–2050, ndikimi pritet të përkeqësohet në –0.3 deri –0.4 pikë përqindje në vit, duke e vendosur Shqipërinë në mesin e ekonomive më të ekspozuara të gjithë rajonit të BERZH.

- Edhe për horizontin 2050–2100, ndikimi mbetet negativ, çka nënkupton se problemi do të zgjasë për shumë dekada.

 

Sipas BERZH, ky presion demografik po sjell mungesë të fuqisë punëtore, shtim të barrës së të moshuarve dhe dobësim të sistemit të kontributeve sociale, duke e mbajtur ekonominë nën stres të vazhdueshëm.

 

Rreziqet për të ardhmen

Raporti thekson se pa:

- rritje të produktivitetit,

- investime teknologjike,

- forcim të kapitalit njerëzor,

- përmirësim të klimës së biznesit.

 

Emigracioni masiv do të vazhdojë të frenojë rritjen ekonomike të Shqipërisë dhe Kosovës të paktën për tre dekadat e ardhshme. Edhe nëse ekonomia rritet, ritmi i saj potencial do të mbetet shumë më i ulët krahasuar me vendet me popullsi në rritje si Turqia, Egjipti apo shtetet e Azisë Qendrore. BERZH nënvizon se efektet tashmë janë të dukshme në tregun e punës, investime, produktivitet dhe stabilitet fiskal.

 

Burimi: Monitor


Më të lexuarat